Gjermania do të mbështesë rezolutën e OKB-së për zgjidhjen me dy shtete, por pa njohur ende shtetin palestinez

Gjermania ka deklaruar se do të mbështesë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez, por theksoi se nuk është ende koha për njohjen e shtetit palestinez. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i qeverisë gjermane për agjencinë Reuters.

“Gjermania do ta mbështesë një rezolutë të tillë, e cila thjesht pasqyron status quo-në në të drejtën ndërkombëtare,” tha zëdhënësi, duke shtuar se Berlini gjithmonë ka qenë për zgjidhjen me dy shtete.

Ai rikujtoi se kancelari gjerman kishte theksuar vetëm dy ditë më parë se nuk është momenti i duhur për njohjen e shtetit palestinez.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Australia dhe Belgjika kanë paralajmëruar se do ta njohin shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë muaj, edhe pse Londra ka lënë të hapur mundësinë për ta shtyrë këtë vendim nëse Izraeli merr hapa drejt lehtësimit të krizës humanitare në Gaza dhe një procesi paqeje afatgjatë.

Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht çdo hap të tillë nga aleatët e saj. Ndërkohë, shumë vende të tjera që tashmë e kanë njohur Palestinën prej dekadash – përfshirë Kinën, Indinë, Rusinë dhe shtete arabe – shihen si aktorë me ndikim të kufizuar në konflikt, duke e bërë njohjen kryesisht një gjest simbolik. /mesazhi