Gjermania pret mijëra emigrantë të paligjshëm nga Bjellorusia

Shteti gjerman lindor i Brandenburgut pret që mijëra emigrantë të paligjshëm të kalojnë kufirin e tij me Poloninë në javët në vijim, të nisur nga Bjellorusia.

“Migrantët që kanë mbërritur tashmë në Letoni, Lituani dhe Poloni, ndoshta, do të kërkojnë të vijnë në Gjermani”, tha sot ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Michael Stuebgen, në parlamentin e shtetit në Potsdam.

“Ne duhet të supozojmë se shumica e këtyre njerëzve do të vijnë në Gjermani në muajt në vijim”, tha Stuebgen.

“Emigrantët vazhdojnë të shkojnë drejt Bjellorusisë me synimin për të hyrë në Bashkimin Evropian”, vazhdoi ai, por shtoi se nuk mund të tregonte shifra të besueshme.

“Situata aktuale e migracionit është sigurisht serioze, por shumë larg situatës që pamë gjatë migrimit masiv në 2015”, tha Andreas Rosskopf, i sindikatës së policisë GdP, duke theksuar se nuk ishin planifikuar kontrolle shtesë kufitare.

Regjistrimet e azilkërkuesve që mbërrijnë në Bjellorusi me rrugë ajrore dhe që shkojnë nga toka për në Gjermani janë rritur ndjeshëm. /atsh