Ballina Lajmet Kosovë Gjermania pret nga Kosova “hapa të tjerë konkretë” lidhur me Asociacionin për...

Gjermania pret nga Kosova “hapa të tjerë konkretë” lidhur me Asociacionin për KiE

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se është koha që Qeveria e Kosovës të bindë shtetet për pranim në Këshill të Evropës, duke ndërmarrë “hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ambasadë kanë thënë se Quinti dhe të tjerët në vazhdimësi kanë theksuar se presin që Kosova të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për ta arritur shumicën e kërkuar prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.

“Në pikëpamjen tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i draftstatutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. Siç ka thënë ambasadori në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova duhet të bëjë punën e madhe’. Kjo ende nuk ka ndodhur. Tashmë i takon kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij që t’i bindin shtetet e nevojshme anëtare me mjete të tjera, pra duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova është zotuar ta themelojë dhe është obligim ndërkombëtar”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë.

Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorët e QUINT-it. Kurti ka kundërshtuar vendosjen e kushteve të reja për Kosovën para votimit final për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Pas takimit me përfaqësues të QUINT-it e të BE-së në Kosovë, Kurti ka thënë se kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura dhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me votimin në Asamblenë Parlamentare. Ai ka kërkuar që çështja e dialogut të mos përzihet me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ditë më parë Gjermania e Franca kanë kërkuar dërgimin e draftstatutit të BE-së për shqyrtim në Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të kalojë me sukses votimin për anëtarësim në KiE.

Në takimin me përfaqësues diplomatikë, kryeministri ka theksuar se pika që lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serb nuk duhet të vendoset prioritet.

Ka shtuar se draftin e BE-së për statutin e Asociacionit nuk e ka pranuar si të ndarë nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të Ohrit.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai (kryeministri) kujtoi se më 26 tetor u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugë zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draftstatut nga Lajçaku për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10 nuk është pranuar më 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, thuhej në njoftim të zyrës së kryeministrit.

Votimi në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës është hapi i fundit i anëtarësimit eventual të Kosovës në këtë organizatë. Ky komitet do të mblidhet në mes të majit.

Exit mobile version