Gjykata Speciale sqaron se kur shtetet e treta mund të ofrojnë garanci për lirimin me kusht të të akuzuarve

Çështja e garancës për mbrojtje në liri të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë ishte kryetemë e ditëve të fundit.

Në vend u kritikua me të madhe qeveria dhe presidenca që nuk treguan gatishmëri për ofrimin e një garance të tillë.

Përplasje mes opinionesh të njohësve të çështjeve ligjore pati ditëve të fundit sa i përket çështjes së garancës për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Qeveria e presidenca po thonë se Kosova nuk mund të konsiderohet si shtet i tretë në këtë rast, teksa ndryshe po mendojnë disa nga njohësit e çështjeve ligjore në Kosovë.

Arsyetime boshe nga qeveria e presidenca: Kosova megjithatë mund të garantojë për krerët e UÇK-së

E në lidhje me këtë çështje janë deklaruar edhe nga Gjykata Speciale. Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës, Angela Griep, ka thënë se shtete të caktuara nuk ofrojnë garanci të tilla, por që një gjë e tillë duhet të kërkohet.

Sipas saj, shteti në fjalë duhet të jap pëlqim për kushtet e përcaktuara nga Paneli.

“Trupi gjykues mund të konsiderojë lirimin e përkohshëm të një të akuzuari nën kushte ose garanci të caktuara. Garanci të tilla mund të sigurohen nga një Shtet i Tretë dhe pas një marrëveshjeje për ndonjë kusht të tillë të vendosur nga Paneli, duke përfshirë nëse Shteti i Tretë i jep pëlqim të akuzuarit që është në territorin e tij dhe nëse ai Shtet është në gjendje ose i gatshëm të pranojë kushtet e përcaktuara nga Paneli. Prandaj, shtetet nuk “ofrojnë” asnjë garanci të tillë më vete, përveç nëse kërkohet”, ka thënë Griep.

Megjithatë, Griep thotë se jo doemos nëse një shtet jep garanci për mbrojtje në liri, të akuzuarit do të lirohen.

Ajo nënvizon faktin se ky është vetëm një faktor që mund të merret parasysh gjatë marrjes së vendimit për lirim me kusht.

“Siç vuri në dukje nga trupi gjykues i apelit, i cili mbështeti vendimin e gjyqtarëve të procedurës paraprake për ndalimin e vazhdueshëm, një “garanci” nuk do të thotë automatikisht që një i akuzuar do të lirohet. Është vetëm një faktor që mund të merret parasysh gjatë marrjes së vendimit për lirimin e përkohshëm”, ka përfunduar Griep.

Gjatë kësaj jave ka pasur raportime se shtete si Kroacia e Austria, madje edhe Izraeli kanë treguar gatishmëri për garancë për krerët e UÇK-së.

Sidoqoftë, këto raportime janë mohuar nga vet institucione të shteteve të lartëpërmendura.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë presidenti kroat, Zoran Milanoviq.

E përmes një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë ka thënë se nuk kanë ofruar asnjë lloj garance.

“Në lidhje me pyetjen tuaj nëse Austria ka dhënë ndonjë garanci në lidhje me rastet e treguara, përgjigjja nga Ministria e Jashtme e Austrisë është jo”, u tha në përgjigje.

Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen që nga nëntori i vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Mbi ta rëndojnë 10 akuza për krime lufte.