Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gremisja e Orbanit: një efekt domino në Ballkan?

Gremisja e Orbanit: një efekt domino në Ballkan?

Rotacioni politik në Hungari, një këmbanë alarmi për autokratët e Beogradit dhe Tiranës

Humbja e Viktor Orban në zgjedhjet e së diëlës, shënon pikën fundore të një eksperimenti 16-vjeçar të “demokracinë joliberale”, duke dëshmuar se asnjë makineri shtetërore, sado e fuqishme, nuk mund të mposhtë vullnetin e një populli të bashkuar.

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Orban ndërtoi një sistem që dukej i pathyeshëm, ku ishin shkrirë plotësisht kufijtë mes partisë dhe shtetit.

Megjithatë, rezultatet e djeshme treguan se epoka e tij ka përfunduar zyrtarisht, duke lënë pas një leksion të madh gjeopolitik: legjitimiteti i vërtetë buron nga kutia e votimit, jo nga aleancat me fuqitë e mëdha.

Arsyet e kësaj humbjeje historike janë komplekse. Por ato fillojnë me konsumimin e brendshëm të një pushteti që e kishte humbur ndjeshmërinë ndaj realitetit.

Megjithëse Orban kontrollonte pothuajse çdo kanal informacioni në Hungari, ai nuk mundi të fshihte efektet e rënda të izolimit ekonomik dhe inflacionit që gërryen xhepat e hungarezëve të thjeshtë.

Shfaqja e një lëvizjeje të re opozitare, e aftë për të komunikuar drejtpërdrejt me masat dhe për të sfiduar narrativën e “rrethimit” të jashtëm, ishte goditja përfundimtare për një regjim që mbijetonte përmes frikës dhe polarizimit.

Ajo që e bën këtë humbje edhe më dramatike, është fakti se Orban u mund në një kohë kur dukej se kishte mbështetjen më të madhe nga jashtë. Ai ishte shndërruar në një simbol global të sovranizmit, i mbrojtur hapur nga administrata e Donald Trump në SHBA dhe i mbështetur strategjikisht nga Rusia e Vladimir Putinit.

Budapesti shërbeu për vite me radhë si një qendër graviteti për lëvizjet e djathta ekstreme, duke krijuar përshtypjen se Orban ishte i paprekshëm, sepse ishte pjesë e një “rendi të ri botëror”.

Por, siç e tregoi dita djeshme, as mbrojtja diplomatike e Uashingtonit dhe as burimet energjetike të Moskës nuk mundën të shërbenin si mburojë kur populli hungarez vendosi të ndryshojë kurs.

Ky rotacion politik, tregon se arroganca e pushtetit është gjithmonë fillimi i rënies. Orban besoi se duke kapur institucionet, gjykatat dhe mediat, kishte blerë përjetësinë politike. Ai harroi se në një shoqëri evropiane, dëshira për liri dhe llogaridhënie mund të flejë për pak kohë, por nuk shuhet kurrë.

Kur qytetarët, nga Budapesti e deri në fshatrat më të thella, e panë se modeli i tij “joliberal” po i shndërronte në një ishull të izoluar dhe të varfër dhe nuk mjaftonte më asnjë propagandë për ti bindur për të kundërtën.

Së fundi, rënia e Orbanit është një mesazh i drejtpërdrejtë dhe i hidhur për autokratët e tjerë të rajonit, si Edi Rama apo Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë mbi një dekadë në pushtet.

Ashtu si Orbani, edhe këta liderë kanë shfaqur shenja të qarta autoritarizmi, duke minuar institucionet e pavarura dhe duke luajtur me dy porta midis Lindjes dhe Perëndimit.

Këto akrobaci gjeopolitike, të përdorur kryesisht për të mirëmbajtur pushtetin e tyre personal dhe interesat e ngushta, po del të jetë i pamjaftueshëm përballë frymës së ndryshimit.

Hungaria vërtetoi dje se historia nuk mund të manipulohet pafundësisht. Kur populli vendos të rimarrë fatin në dorë, asnjë lojë me “dy porta” dhe asnjë mbështetje nga fuqitë e mëdha nuk mund t’i shpëtojë ata nga gjykimi i sovranit. /tesheshi.

Exit mobile version