Të hënën (20 shtator) Greqia filloi me zhvendosjen e migrantëve në objekte “të mbyllura” në ishujt e saj. Objektet janë financuar nga Bashkimi Evropian.
Ato i zëvëndësojnë kampet e improvizuara të cilat nuk kishin kushte të mira dhe nuk ofronin mundësinë e një kontrolli më të madh. Shpesh herë kanë ndodhur incidente brenda tyre.
Megjithatë aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kampet e reja u ngjajnë burgjeve.
Dy rreshta me gardh me tela me gjemba rrethojnë kampin e ri Zervou në ishullin Samos të Egjeut, i projektuar për të strehuar 3.000 njerëz. Ky kamp ka edhe kamera vëzhgimi, skanerë me rreze dhe dyer magnetike.
Objekti i ri u hap pas pak më shumë se një viti pasi zjarri shkatërroi kampin famëkeq të mbipopulluar të Morias në ishullin Lesbos.
Atëbotë ky kamp ishte vendbanimi më i madh i migrantëve në Evropë.
Zjarri nxiti një eksod kaotik të më shumë se 12,000 njerëzve.
Kryebashkiaku i ishullit Samos, Georgios Stantzos, i tha AFP-së se janë të shqetësuar për mundësinë e një vale të re refugjatësh nga Afganistani apo nga katër milionë migrantët që ndodhen në Turqi.
Greqia thotë se kampet e reja në Samos, Leros, Lesbos, Kos dhe Kios synojnë të trajtojnë mbipopullimin, kushtet e këqija higjienike dhe krimin që kishte përfshirë disa prej kampeve të improvizuara.
Bashkimi Evropian ka ndarë 276 milionë euro për kampet e reja në ishujt grekë. Këta ishuj janë porta e parë për migrantët që shkojnë përmes detit nga Turqia fqinje.
Në kulmin e krizës së migrantëve në vitin 2015, Detin Egje e kaluan 856.000 persona. Kjo shifër ra në 173.000 vitin e ardhshëm, dhe në vetëm 30.000 më 2017. Mbase për shkak të pandemisë, në vitin 2020 kjo shifër ishte vetëm 10.000. /rel