Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg, është ndaluar të hyjë në Venecia për 48 orë pasi mori pjesë në një protestë që e ktheu në të gjelbër ujin e famshëm të qytetit në Kanalin e Madh, transmeton Anadolu.
Demonstrata, e organizuar nga lëvizja mjedisore ‘Extinction Rebellion’ gjatë fundjavës, përfshinte hedhjen e bojës gjurmuese jo-toksik në ujërat e kanalit për të tërhequr vëmendjen ndaj “efekteve masive të kolapsit klimatik”.
22-vjeçarja Thunberg dhe protestues të tjerë varën një banderolë që thoshte “ndal ekocidit” nga Ura Rialto dhe parakaluan nëpër qytet me kostume të mbuluara me vello të kuqe.
Ajo dhe dhjetëra të tjerë u gjobitën me nga 172 dollarë secili.
Veprime të ngjashme u zhvilluan edhe në qytetet Milano, Palermo dhe Bolonja, ku në shatërvanët dhe kanalet ujore gjithashtu u hodh ngjyrë e gjelbër.
Luca Zaia, guvernatori i rajonit Veneto, e dënoi protestën si të dëmshme.
“Vandalizmi nuk e mbron mjedisin. Këto akte dëmtojnë Venecian, kërkojnë punime restaurimi dhe paradoksalisht gjenerojnë ndotje”, shkroi Zaia në rrjetet sociale.
Protesta e lëvizjes ‘Extionction Rebellion’ ishte e fundit në një seri veprimesh përçarëse klimatike gjatë viteve të fundit, duke përfshirë incidente ku supë domatesh dhe pure të shtypura u hodhën mbi piktura të Van Gogh dhe Monet, si dhe ngjyrë e kuqe mbi një skulpturë të Degas në Washington.
Muajin e kaluar, Thunberg u ndalua dhe u deportua nga Izraeli pasi iu bashkua një flotilje që përpiqej të dërgojë ndihmë humanitare në Gaza.
