Grupet kundër regjimit në Siri marrin nën kontroll të gjithë provincën Idlib

Grupet e armatosura të opozitës në Siri që kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Assadit kanë rimorën rrethin Khan Sheikhoun dhe me këtë fituan kontrollin mbi të gjithë provincën Idlib, transmeton Anadolu.

Grupet e armatosura të cilat janë përleshur me forcat e regjimit në veri të vendit që nga 27 nëntori, vazhdojnë të avancojnë në lindje dhe juglindje të Idlibit.

Deri në mëngjesin e sotëm, grupet e armatosura morën nën kontroll më shumë se 50 fshatra nga forcat e regjimit sirian, përfshirë qendrën e rrethit Khan Sheikhoun. Me këtë të fundit, grupet kundër regjimit fituan kontrollin në të gjithë Idlibin.

Në muajin gusht të vitit 2019, forcat e regjimit të Assadit të mbështetur nga Rusia pushtuan rrethin Khan Sheikhoun në kundërshtim me marrëveshjet e Astanës dhe memorandumin e Sochit.

Sot, grupet e armatosura kundër regjimit gjithashtu rimorën kontrollin mbi qytetin Maarrat al-Numan, i cili është qyteti më i madh në provincën Idlib.

Khan Sheikhoun në vitin 2017 ishte shënjestër e armëve kimike

Rrethi Khan Sheikhoun ishte në agjendën botërore pasi regjimi i Assadit mori jetën e të paktën 100 personave në një masakër me armë kimike të kryer më 4 prill të vitit 2017.

Më vonë, më 7 prill të vitit 2017, SHBA-ja goditi bazën ajrore ushtarake të regjimit ‘Shayrat’, ndërsa më 27 tetor të po të njëjtit vit, Misioni i Përbashkët Hetimor i OKB-së dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) konfirmuan se regjimi sirian e kishte kryer sulmin me armë kimike.

Idlibi, zonë e kontestuar pas marrëveshjeve të Astanës dhe Sochit

Qendra e Idlibit ra nën kontrollin e opozitës në vitin 2015. Idlibi ishte një nga zonat më të shënjestruara nga regjimi sirian.

Në takimin e Astanës midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4 dhe 5 maj të vitit 2017, u formuan katër “zona de-përshkallëzimi”, përfshirë provinca Idlib dhe disa pjesë të provincave fqinje (Latakia, Hama dhe Alepo), veriu i provincës Homs, Ghouta Lindore në kryeqytetin Damask, si dhe rajonet jugore të vendit.

Megjithatë, regjimi dhe terroristët e mbështetur nga Irani pushtuan pjesën tjetër të katër zonave, përveç Idlibit ku u shpallë një armëpushim dhe situata u kontrollua falë mbështetjes ajrore të Rusisë. Qindra mijëra civilë që ikin nga sulmet kanë emigruar në veri pranë kufirit turk.

Sulmet në Idlib vazhduan për disa kohë pas marrëveshjes së Sochit, të arritur nga Turqia dhe Rusia më 17 shtator të vitit 2018.