Guardian: Bosnja në rrezik të ndarjes dhe konfliktit

Christian Schmidt

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe tha se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.

Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa.

NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.

Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.

“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citon Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumice serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Ai po ashtu ka thënë serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990. /rel