Guterres falënderon Turqinë për mirëpritjen e refugjatëve

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Shtëpisë Turke (Turkevi) në Nju-Jork, ku do të jetë edhe Përfaqësia e Përhershme e Turqisë në OKB dhe Konsullata e Përgjithshme e Nju-Jorkut, tha se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer midis Turqisë dhe OKB-së.

“Unë e njoh personalisht bujarinë e madhe të Turqisë dhe shoqërisë turke ndaj refugjatëve,” tha Guterres, duke shtuar:” Unë dua të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për ju (Turqinë) dhe për mbështetjen tuaj ndaj refugjatëve që kanë nevojë për mbrojtje.”

Guterres deklaroi se numri i njerëzve që janë arratisur nga luftërat, dhuna, shtypja dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ka arritur nivele rekord.

“Unë besoj se Turqia do të vazhdojë të bëjë më të mirën me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një solidaritet që na intereson të gjithëve”, tha ai.

Duke shprehur se ai mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, përfshirë bashkëkryesimin e Grupit të Miqve të Ndërmjetësimit, i cili është një nga mjetet më të rëndësishme për t’i dhënë fund konflikteve, Guterres shtoi se bashkëpunimi i ngushtë me Turqinë do të vazhdojë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres më vonë u prit nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Gjatë takimit, u diskutuan çështjet e Sirisë, Libisë, Afganistanit dhe Qipros. /trt