Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Guterres i bën thirrje Izraelit të mos kryejë ofensivë në Rafah

Guterres i bën thirrje Izraelit të mos kryejë ofensivë në Rafah

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje Izraelit që të mos e pushtojë qytetin jugor të Gazës, Rafahun.

Kjo thirrje e Guterres erdhi pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do ta pushtojë Rafahun pavarësisht nëse arrihet ose jo një marrëveshje me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për lirimin e pengjeve.

“Një operacion ushtarak në Rafah do të ishte një përshkallëzim i padurueshëm, duke vrarë mijëra civilë të tjerë dhe duke detyruar qindra mijëra të tjerë të largohen”, tha Guterres për gazetarët më 30 prill.

Një operacion i tillë, “do të kishte ndikim shkatërrues ndaj palestinezëve në Gazë, me pasoja serioze në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në mbarë rajonin”, tha Guterres.

“Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe shumë qeveri të tjera qartazi kanë shprehur kundërshtimin e tyre për një operacion të tillë. U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim ndaj izraelit që të bëjnë gjithçka që munden që të parandalojnë një operacion të tillë”.

Exit mobile version