Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Guterres shpreh shqetësim për rritjen e numrit të civilëve të vrarë mes...

Guterres shpreh shqetësim për rritjen e numrit të civilëve të vrarë mes përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është “veçanërisht i shqetësuar” për rritjen e numrit të civilëve të vrarë ndërsa sulmet ushtarake vazhdojnë në mbarë Lindjen e Mesme, tha zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu.

“Sekretari i Përgjithshëm është veçanërisht i shqetësuar për numrin në rritje të civilëve që po shohim të vriten dhe për shkatërrimin e infrastrukturës civile” tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, në një konferencë për media, duke theksuar nevojën për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile “në çdo kohë”.

“Zgjerimi i sulmeve në vende që nuk ishin të përfshira në sulmin fillestar është, sipas sekretarit të përgjithshëm, veçanërisht shqetësues, qoftë kur flasim për vendet e Gjirit, Jordaninë, Sirinë apo Libanin”, shtoi Dujarric.

Duke paralajmëruar për rrezikun në rritje të “pasojave humanitare në rajon” Dujarric tha se kreu i OKB-së “bën thirrje për ulje të tensioneve, ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe dialog e negociata të mirëfillta në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Guterresit, i cili paralajmëroi të shtunën se veprimet e vazhdueshme ushtarake në rajon bartin rrezikun e “ndezjes së një zinxhiri ngjarjesh që askush nuk mund ta kontrollojë” Dujarric tha: “Jemi në një rrezik ku nuk ka asnjë hapësirë për gabime në llogaritje”.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit të shtunën, duke vrarë disa udhëheqës të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Në përgjigje, Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe vendet rajonale të cilat janë shtëpia e aseteve amerikane.

Gjysmëhëna e Kuqe iraniane tha se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit që nga e shtuna është rritur në 555.

Exit mobile version