Haaretz: Izraeli duhet të ndalojë urinë në Gaza

Në një editorial me titullin “Izraeli duhet të ndalojë urinë në Gaza”, gazeta izraelite Haaretz shkruan se “uria ndaj më shumë se dy milionë palestinezëve është normalizuar plotësisht”.

Sipas saj, kjo politikë bazohet në një narrativë populiste dhe të pavërtetë që lidh ndihmën humanitare për Gazën me aftësitë ushtarake të Hamasit. “Rezultati është një krim humanitar i vazhdueshëm,” theksohet në editorial, ku shtohet se uria është “shndërruar në një politikë të deklaruar haptazi dhe madje në burim krenarie”.

Më 18 mars, autoritetet izraelite bllokuan sërish hyrjen e ndihmave humanitare jetike për Gazën – një bllokadë që vazhdon ende.

Sipas Haaretz, vuajtja dhe vdekjet e shkaktuara nga kjo politikë nuk ndihmojnë në arritjen e objektivave të luftës. “Vdekja e fëmijëve nga kequshqyerja dhe sëmundjet nuk do të çojë në lirimin e pengjeve dhe as në rënien e Hamasit,” përfundon editoriali.