Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Haiti, arrin në 1.297 numri i të vdekurve nga tërmeti

Haiti, arrin në 1.297 numri i të vdekurve nga tërmeti

Është rritur në 1.297 numri i personave që kanë humbur jetën dhe mbi 2.700 numri i të plagosurve si pasojë e tërmetit prej 7.2 ballë që goditi të shtunën brigjet e Haitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët njoftuan se në vend është përjetuar një shkatërrim i madh dhe se janë në vazhdim punimet e kërkim-shpëtimit nën rrënoja.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e Haitit theksoi se është rritur në 1.297 numri i personave që kanë humbur jetën dhe mbi 2.700 numri i personave të plagosur si pasojë e tërmetit.

Administrata e vendit e cila u përball me një shkatërrim dhe tronditje të madhe i ka bërë thirrje për ndihmë komunitetit ndërkombëtar.

Shërbimi Gjeologjik Amerikan (USGS) kishte njoftuar se epiqendra e tërmetit 7.2 ballë ishte 12 kilometra në verilindje të rajonit Saint-Jean-du-Sud.

Pas tërmetit që u ndje në kryeqytetin Port-au-Prince të Haitit, popullata doli në rrugë në panik.

USGS pas një kohe tërhoqi paralajmërimin për cunami të cilin e bëri pas tërmetit të regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash.

Në rajon u dërguan ekipe për punimet e kërkim-shpëtimit.

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry në një deklaratë informoi se në tërmet ishin shkaktuar dëme me përmasa të gjera.

Po ashtu ai njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme një mujore në vend.

Tërmeti në vitin 2010 në Haiti

Më 12 janar të vitit 2010, Haiti u godit me një nga tërmetet më vdekjeprurëse në shekullin e fundit.

Sipas shifrave zyrtare, tërmeti 7 ballë që u regjistrua në jug të vendit shkaktoi 316 mijë të vdekur dhe rreth 300 mijë të lënduar.

Në tërmetin që shkaktoi shkatërrime të mëdha 1.3 milionë njerëz mbetën pa shtëpi.

Exit mobile version