Hamasi kritikon synimin e Britanisë për ta etiketuar atë si “organizatë terroriste”

Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas sot ka dënuar synimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta etiketuar atë si “organizatë terroriste”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, grupi tha se Britania vazhdon “të favorizojë agresorin (izraelit) në kurriz të viktimave (palestineze)”.

“Rezistenca ndaj pushtimit me të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rezistencën e armatosur, është një e drejtë e garantuar nga ligji ndërkombëtar për njerëzit nën okupim”, thuhet në deklaratën e Hamasit.

“Okupimi (izraelit) është terrorizëm. Vrasja e njerëzve vendas, dëbimi i tyre me forcë, prishja e shtëpive të tyre dhe arrestimi i tyre janë terrorizëm”, tha Hamas.

Deklarata i kërkoi komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Britanisë, të ndalojë “standardet e dyfishta dhe shkeljen e rëndë të ligjit ndërkombëtar”.

Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe Priti Patel pritet ta bëjë të jashtëligjshëm Hamasin për “lidhje me terrorizmin dhe antisemitizmin kundër popullit hebre”.

Që nga viti 2001, Britania e quan organizatë terroriste krahun e armatosur të Hamasit, Brigadat Ezzeddin al-Qassam, por nuk e përfshiu byronë politike të Hamasit brenda këtij etiketimi.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Naftali Bennett në Twitter përshëndeti vendimin e Britanisë, duke thënë: “Hamasi është një organizatë terroriste”.

“E mirëpres synimin e Britanisë për ta shpallur Hamasin organizatë terroriste në tërësi, sepse pikërisht është ajo që është”, shtoi ai. /aa