Zyrtarë të Hamasit kanë zhvilluar takime me ndërmjetësues në Kajro për të diskutuar propozime që synojnë rikthimin e armëpushimit në Gaza.
Këto negociata kanë ngecur që kur Izraeli braktisi marrëveshjen e armëpushimit të arritur në janar, duke vendosur një bllokadë të plotë mbi Gazën më 2 mars dhe duke rifilluar sulmet vdekjeprurëse më 17 mars.
Taher al-Nono, një zyrtar i lartë i Hamasit, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters, theksoi se grupi është i gatshëm të diskutojë për një armëpushim brenda kornizës së negociatave, por kërkon një angazhim të qartë nga Izraeli për t’i dhënë fund luftës.
“Ideja e një armëpushimi apo kohëzgjatja e tij nuk është e papranueshme për ne, dhe jemi të hapur për çdo propozim serioz që synon përfundimin e luftës,” tha ai.
Megjithatë, al-Nono hodhi poshtë kërkesën thelbësore të Izraelit që Hamasi të çarmatoset.
“Arma e rezistencës nuk është e negociueshme dhe do të mbetet në duart tona për aq kohë sa ekziston okupimi,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, një tjetër zyrtar i Hamasit, Mahmud Mardawi, theksoi se çdo armëpushim i ri duhet të përfshijë “garanci për përfundimin e luftës”.
Ai shtoi: “Okupimi mund të rikthehet në luftë pas ndonjë marrëveshjeje të pjesshme, por jo pas një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe me garanci ndërkombëtare.”
