Hamasi ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për respektimin e marrëveshjes së armëpushimit, pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme nga Izraeli.
Deklarata u bë pas një takimi që u zhvillua të shtunën në Stamboll mes kryenegociatorit të Hamasit, Khalil al-Hayya, dhe shefit të inteligjencës turke, Ibrahim Kalin.
Në njoftimin e saj, lëvizja theksoi nevojën urgjente për ndaljen e këtyre shkeljeve të vazhdueshme, duke paralajmëruar për përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës me ardhjen e dimrit.
Hamasi vuri në dukje se prioritet absolut është futja e menjëhershme e tendave, karvanëve dhe pajisjeve të rënda, për të shpëtuar civilët nga vdekja si pasojë e të ftohtit dhe përmbytjeve, në kushtet e shkatërrimit të gjerë të infrastrukturës dhe banesave.
Ndërkohë, stuhitë dimërore po e rëndojnë më tej gjendjen e qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur në Gaza, ndërsa agjencitë humanitare paralajmërojnë se kufizimet izraelite po pengojnë dërgimin e ndihmave jetike në enklavën e rrethuar. /mesazhi
