Haradinaj dhe ministri i Shëndetësisë Ismaili vizitojnë QKUK-në, nuk flasin për vdekjet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin vizituan Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku takuan menaxhmentin e reparteve të spitalit në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Haradinaj pas takimit me menaxhmentin e QKUK-së në një prononcim para mediave tha se kanë mbajtur një takim pune me të gjithë menaxhmentin e QKUK-së me të gjithë drejtorët e klinikave ku theksoi se personeli shëndetësor ballafaqohet me shumë probleme gjatë punës duke i quajtur ata “Heronjtë e Kosovës”.

“Ajo që na motivon dhe arsyeja pse jemi këtu është se ka defekte të caktuara, ka vakume dhe ka plotë detyra të përbashkëta që duhet t’i kryejmë duke filluar nga ne nga politika, qeveria, pra vendimmarrësit por edhe gjithë të tjerët. Sot besoj që kemi arritur një dakordim që do të ballafaqohemi me këto defekte së bashku”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se janë takuar me personelin e QKUK-së për të folur për probleme të shumta në mjekësi të cilat janë mbledhur me vite duke theksuar se tani kanë vullnet për t’i zgjidhur ato.

“Natyrisht që kjo nënkupton se ne duhet t’i marrim përgjegjësitë tona por edhe i gjithë sektori i shëndetësisë t’i marrë përgjegjësitë e veta, të rrisë llogaridhënien, transparencën, menaxhimin më të mirë që të kemi shërbime më të mira”, tha ministri Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë, Ismaili, duke u bazuar në kompetencat e tij ligjore dje ka iniciuar krijimin e Bordit të ri Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) me qëllim të reformave në sektorin e shëndetësisë, zbatimit të ligjeve të shëndetësisë, funksionimit normal dhe sa më profesional të institucioneve shëndetësore.