Ballina Lajmet Kosovë Haradinaj: Seanca për Demarkacionin mund të kërkojë edhe një javë kohë, por...

Haradinaj: Seanca për Demarkacionin mund të kërkojë edhe një javë kohë, por kthim prapa s’ka

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një deklaratë për media ka folur rreth çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se seanca për Demarkacionin mund të marrë edhe një javë kohë dhe duhet të jenë mirë të përgatitur, por kjo çështje sipas tij nuk ka kthim prapa .

Haradinaj ka thënë se për këtë duhet të ketë mirëkuptim të të gjithëve, duke përfshirë edhe deputetët e Listës Serbe dhe të Vetëvendosjes.

Lexoni të plotë deklaratën e Haradinajt:

“Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e Demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe dëshiron konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë.

Ka një ndryshim në gjendjen faktike. Ka një marrëveshje mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.

Me gjithë dyshimet, marrëveshja është një materie mes dy presidentëve të vendit. Unë vet si Kryeministër kam punuar gjithë kohës për këtë marrëveshje, në substancën e saj dhe i falënderojë të gjithë që kanë qenë të angazhuar.

Kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë.

Kemi humbë gati 3 vjet për këtë dhe ndoshta na shkon edhe një javë, por duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa.

Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit.

Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur  ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”. /Telegrafi/

Exit mobile version