Haxhiu paralajmëron zgjedhje pas pesë muajsh dhe largim të deputetëve nga VV-ja

Bekim Haxhiu nga PDK-ja ka paralajmëruar se brenda pesë muajve vendi mund të shkojë në zgjedhje, kjo sipas tij për shkak “të dështimit të Qeverisë për ta siguruar shumicën në Kuvend dhe dështimeve të tjera”. Haxhiu për “Ekonomia Online” ka thënë se ka mosmarrëveshje të thella brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ai po ashtu ka paralajmëruar se “në bazë të zhvillimeve që janë duke ndodhur në Kuvend, pritet që të ketë edhe largime të tjera nga VV-ja”.

“Duket që ka mosmarrëveshje të thella brenda grupit parlamentar të VV-së. I keni parë edhe me rastin e votimit të disa ligjeve që kryetarja e grupit parlamentar vraponte për t’i lutur deputetët për t’i votuar ligjet të cilat i ka sjell Qeveria. Ka një mosmarrëveshje të grupit të interesit përbrenda vetë grupit parlamentar të VV-së. Tani më i kemi disa largime nga grupi, pritet që të ketë edhe largime të tjera, bazë zhvillimeve të cilat po janë përbrenda Kuvendit”, tha ai.

Ai tha se kjo parti “i ka shkelur të gjitha premtimet e saja”, duke shtuar se kjo “Qeveri nuk ka legjitimitet ta udhëheq vendin”.

“Një Qeveri e cila ka ardhur në pushtet me premisën për ndryshim, më një lloj shprese të cilën u mundoheshin ta proklamonin, duket që nuk i ka votat as për të kaluar ligjet substanciale, elementare që nevojitet një votim i thjeshtë, 61 deputetë në seancë. Ka problem që të sigurojë situata të tillë duke i shkelur të gjitha premtimet që i kanë dhënë para se të vinin në pushtet. Unë kam thënë para se të vinin në pushtet se kjo Qeveri as nuk ka legjitimitet të qëndrojë në pushtet, sepse të gjitha premtimet e saja i ka shkelur”, tha ai për EO.

Ai theksoi se për “shkak të dështimit të kësaj Qeveri për të siguruar shumicën në Kuvend”, por edhe “për të fajësuar të tjerët për dështimet e tyre”, brenda pesë muajve do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

“Nuk do të shkojë më shumë se pesë muaj bazë zhvillimeve të cilat janë brenda Kuvendi që vendi do të shkojë në zgjedhje. Do të shkoj në zgjedhje për shkak të dështimit të kësaj Qeverie për të siguruar shumicën në Kuvend por edhe për të fajësuar të tjerët për dështimet e tyre”, tha ai.

KOHA ka provuar të marrë një prononcim nga Qeveria lidhur me akuzat e deputetit Haxhiu, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë një përgjigje.