Hetimi gjerman: Ish-Papa Benedikti i përfshirë në fshehjen e rasteve të abuzimit të fëmijëve

Një raport i një komisioni të pavarur gjerman ka zbuluar se ish-Papa Benedikti XVI ishte i përfshirë në fshehjen e rasteve të abuzimit të fëmijëve kur ishte kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri në vitin 1982, transmeton Anadolu Agency (AA).

Papa Benedikti, i quajtur atëkohë Josef Ratzinger, nga komisioni, i cili u formua nga kompania ligjore gjermane “Westpfahl Spilker Wastl”, u akuzua për sjellje të pahijshme në të paktën katër raste të abuzimit të fëmijëve.

Pas një hetimi pothuajse 2-vjeçar mbi trajtimin e pretendimeve të abuzimit seksual nga Kisha Katolike Gjermane, komisioni njoftoi zbulimet e tij në një konferencë për media në Mynih.

Ish-papa iu përgjigj pyetjeve të komisionit dhe mohoi çdo keqbërje.

Një raport i mëparshëm i porositur nga Kisha Katolike Gjermane zbuloi se nga viti 1946 deri në vitin 2014 rreth 1.670 klerikë kanë kryer sulm seksual kundër 3.677 të miturve, kryesisht djem.

Në Romë, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha se Selia e Shenjtë do t’i kushtonte “vëmendjen e duhur” raportit gjerman, “përmbajtjen e të cilit për momentin nuk e di”.

Duke theksuar se do të studiohet në detaje në ditët në vijim, Bruni tha se Selia e Shenjtë përsëriti “ndjenjën e saj të turpit dhe pendimit”.

Kisha Katolike tashmë prej dekadash është tronditur nga skandalet lidhur me abuzimin e të miturve nga priftërinjtë dhe fshehjen sistematike të këtyre krimeve. Papa Françesku, ashtu si paraardhësi i tij Benedikti XVI, ka premtuar zero tolerancë për këtë çështje. /aa