Hetuesia: Zyrtarët e arrestuar planifikonin që më 2021 të merrnin ryshfet 25 mijë euro për aplikues

Hetuesia: Zyrtarët e arrestuar planifikonin që më 2021 të merrnin ryshfet 25 mijë euro për aplikues
Një nga të arrestuarit e paktë që nuk është zyrtar është Sali Statovci. Ai është vëllai i Luan Statovcit, drejtorit të pagesave në AZHB, i cili është po ashtu i arrestuar.

Fillimisht ai, sipas hetuesisë nuk kishte qenë i dyshuar, por është inkriminuar në fazën e hetimit kur zyrtarët ishin nën vëzhgim.

“I pandehuri Salih Statovci dyshohet se i ka ndihmuar vëllait të tij Luanit në fshehjen e provave, konkretisht të parave të cilat i ka përfituar përmes marrjes se ryshfetit, pasi që Luani vazhdimisht gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit dëgjohet duke thënë së ka në posedim shumën e parave në vlerë prej rreth 600 mijë euro”, thuhet aty.

Një rast, sipas një dëshmitari, hetuesia thotë së për të përfituar subvencionin në vlerë 90 mijë eurosh kërkoheshin 30 mijë euro ryshfet.

Vëzhgimet e videoincizimet sipas hetuesisë dëshmojnë së këta zyrtarë planifikonin që edhe në vitin 2021 të merrnin edhe në raste të tjera ryshfet.

“Berat Nika dhe Hasan Maxharraj, të cilët bisedojnë, duke deklaruar se në disa raste së kanë marrë nga persona të cilët kanë aplikuar për subvencione, duke i përmendur të njëjtit me emra dhe duke përmendur shuma të ndryshme të parave për të cilat thonë së i kanë marrë nga ta dhe po ashtu duke bërë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë euro për aplikues”, thuhet në këtë dokument.

Mbi këtë argumentim, prokurori i rastit Rafet Halimi ka kërkuar që 11 të arrestuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.

Për këtë kërkesë, Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendosë sot gjatë ditës.