Hoti: Kërkojmë sqarim nga kryeministri Haradinaj se pse u shkarkua Bordi i AKA-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të tregojnë se cilat janë arsyet për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë për Akreditim të Kosovës AKA.

Ai në foltoren e Kuvendit ka numëruar një sërë ndikimesh që pritet t’i ketë përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

“Do të dëmtohet njohja e diplomave të studentëve kosovarë nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Do të vështirësohet mobiliteti i studentëve dhe mësimdhënëse nëpër universitetet evropiane, madje do të dëmtohet rëndë edhe njohje e kredencialeve akademike të profesorëve nga Kosova. Do të ketë probleme edhe në mobilitetin e studentëve evropian nga vendet të cilat ata vinë në universitetet e Kosovës”, ka shtuar Hoti.