Ballina Lajmet Kosovë Hoti: Nuk kam kërkuar kurrë postin e presidentit, emri im u përmend...

Hoti: Nuk kam kërkuar kurrë postin e presidentit, emri im u përmend për të zgjidhur ngërçin politik

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe përmendjen e emrit të tij në raport me çështjen e presidentit të vendit.

Përmes një reagimi të gjatë publik, Hoti tha se konfirmon çdo detaj të deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti për këtë çështje, duke theksuar se disa nga zhvillimet i ka parë personalisht.

Sipas tij, përmendja e emrit të tij si kandidat i mundshëm për President nuk ka qenë për interes personal, por një përpjekje për të tejkaluar një ngërç politik dhe për të shmangur zgjedhjet e shpeshta në vend.

Ai shtoi se asnjëherë në jetën e tij nuk ka kërkuar ndonjë post politik, e aq më pak postin e Presidentit, duke e cilësuar atë si nderin më të madh që mund t’i bëhet një qytetari të Kosovës.

Në reagimin e tij, Hoti foli edhe për rrugëtimin e tij politik, duke përmendur mbi 10 vite angazhim në Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe më pas kandidimin në zgjedhjet e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai theksoi se, pavarësisht zhvillimeve politike, ka respektuar gjithmonë individët me të cilët ka bashkëpunuar dhe nuk ka mohuar të kaluarën e tij politike.

Në reagimin e tij, Hoti u ndal edhe te sulmet personale ndaj tij, duke thënë se shpeshherë kritikat lidhen me faktin se ai është djali i veprimtarit të njohur politik Ukshin Hoti.

Në fund të reagimit, ministri bëri thirrje për unitet politik dhe institucional në vend, duke theksuar se sfidat me të cilat përballet Kosova kërkojnë bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë akterët politikë.

“Emri im në rastin e Presidentit nuk ishte asgjë më shumë e as më pak se një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, jo për hir timin, por për hir të këtij populli dhe stabilitetit institucional.
Për të shmangur zgjedhjet e pesta brenda një viti. Për të shmangur maltretimin e qytetarëve të Kosovës me krizë të njëpasnjëshme politike”, ka shkruar ai.

Exit mobile version