Ballina Lajmet Kosovë Hoti takon Grenellin e Reekerin, flasin për “normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen...

Hoti takon Grenellin e Reekerin, flasin për “normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke me Serbinë”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot gjatë ditës është takuar me ambasadorin Richard Grenell dhe ushtruesin e detyrës së ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Philip Reeker.

Hoti përmes një njoftimi në Facebook thotë se në takime është diskutuar për proceset në të cilat po kalon Kosova e në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai thotë se ambasadorin Grenell e ka siguruar se Kosova do të jetë partner i besueshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me qëllimin final njohjen reciproke.

“E sigurova se Qeveria e re nuk do të ikë nga përgjegjësitë e saj në këtë proces, dhe se jemi plotësisht të përkushtuar për të bërë progres. Si vend i ri, ne kemi nevojë për vëmendjen e plotë dhe ndihmën e ShBA-ve në këtë proces, si dhe ne në konsolidimin dhe fuqizimin e shtetësisë së Kosovës në arënën ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Edhe me Reekerin, Hoti thotë të ketë biseduar për nevojën që Kosova ka si shtet për të avancuar marrëdhëniet rajonale, “në veçanti në normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke me Serbinë”.

“E falënderova për letrën e Sekretarit Pompeo, i cili qartë e thotë se qëllimi final i dialogut është njohja reciproke”, tha Hoti, raporton Koha.net.

Zëvendëskryeministri më tej shtoi se qeveria e re e ka gjithë mbështetjen e vendit mik SHBA për të avancuar në proceset e rëndësishme që Kosova ka përpara.

“Dhe nuk do ta humbim këtë mundësi”, u shpreh Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti.

Exit mobile version