Humb jetën palestinezja e shtypur nga makina e një koloni hebre në Bregun Perëndimor

Një grua palestineze, e cila u shtyp nga makina e një koloni hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar, ka humbur jetën, njoftuan burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve, një kolon hebre shtypi 60-vjeçaren Gadir Musaheme me makinën e tij afër qytetit të Ramallahut.

Gruaja palestineze, e cila u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital me ambulancë, ka ndërruar jetë, kurse koloni hebre në fjalë është larguar nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte ambulanca.

Radioja e ushtrisë izraelite njoftoi gjithashtu se një grua palestineze u lëndua kur u godit nga automjeti i një koloni hebre në rrugën midis njësive të vendbanimeve hebraike Ofra dhe Shilo në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor, ndërsa nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi incidentin.

Asnjë deklaratë nuk është bërë ende nga autoritetet palestineze.

Bregu Perëndimor i pushtuar është bërë skenë e sulmeve në rritje ndaj palestinezëve nga kolonët hebrenj, shumica dërrmuese e të cilëve janë të armatosur.

Herë pas here, kolonët hebrenj u shkaktojnë lëndime dhe madje edhe vdekje palestinezëve që ata i godasin “qëllimisht” me automjetet e tyre.

Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 500 mijë kolonë hebrenj që banojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën pushtim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme. /aa