Hungaria në nevojë për fonde, apel BE-së: Marrëveshje për fondin e rikuperimit

Tibor Navracsics

Hungaria është gati për kompromis me Komisionin Evropian për të marrë pjesën e saj nga fondi i rikuperimit, deklaroi të enjten qeveria e kryeministrit Orban.

Budapesti zyrtar paraqiti planin e tij për paketën stimuluese të BE-së vitin e kaluar, në mënyrë që të merrte 15 miliardë euro në formë grantesh dhe huash të lira. Por drita e gjelbër nga Komisioni Evropian nuk ka ardhur ende.

Më herët, Brukseli ra dakord me Poloninë sa i takon planit të rikuperimit, duke e lënë Hungarinë vetëm në pritje të fondeve.

“Shpresoj që situata të ndryshojë, pasi një gjë e tillë do të ndihmonte për t’i dhënë nxitje të re negociatave. Duke qenë se Hungaria është i vetmi vend anëtar i BE-së që nuk ka marrëveshje me Komisionin për planin kombëtar të rikuperimit, plani ynë është përshpejtimi i negociatave në mënyrë që ta nënshkruajmë këtë akord brenda vitit”, tha Tibor Navracsics, ministër për Fondet e BE-së, Hungari.

Situata ekonomike në Hungari është bërë shqetësuese së fundmi. Valuta vendase ka rënë ndjeshëm dhe qeveria është detyruar të rrisë taksat dhe të shkurtojë buxhetin për shkak të deficitit të lartë. Sipas ekspertëve, Budapesti ka nevojë urgjente për fonde.

Komisioni kërkon më shumë hapa nga qeveria për të luftuar korrupsionin dhe për të ndryshuar sistemin e shpërndarjes së fondeve të BE-së. Hungaria deklaron se është gati për këto ndryshime.

“Sa i takon çështjeve të tenderimit publik dhe shqetësimeve për korrupsion, ne mund të propozojmë hapa mbi të cilët ekspertët e Komisionit bien dakord. Shpresoj edhe për një marrëveshje në nivel politik, pasi këto hapa janë tashmë në zbatim”, u shpreh Navracsics.

Nëse Hungaria nuk bie dakord me Brukselin deri në fund të këtij viti, atëherë do të humbasë 70% të fondeve të rikuperimit. /euronews