Ballina Lajmet Rajon dhe Botë I dërguari palestinez në OKB: Gaza nuk është copë toke që pret...

I dërguari palestinez në OKB: Gaza nuk është copë toke që pret të rrëmbehet

I dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour, deklaroi sot se Rripi i Gazës është një pjesë e pandashme e territorit palestinez të pushtuar dhe i përket popullit palestinez, raporton Anadolu.

“Gaza nuk është një copë toke që rri pezull në ajër për ta rrëmbyer kush të dojë. Ajo i përket popullit të saj. I përket popullit palestinez”, tha Mansour në seancën hapëse të Komitetit të OKB-së për Ushtrimin e të Drejtave të Patjetërsueshme të Popullit Palestinez.

Mansour përshëndeti armëpushimin në Gaza dhe vuri në dukje bashkëpunimin e të gjitha palëve të përfshira, përfshirë SHBA-në, por theksoi se ai duhet të jetë i qëndrueshëm.

Duke thënë se armëpushimi “nuk duhet të jetë i brishtë”, ai shtoi: “Izraeli nuk duhet të vazhdojë të shkojë e të vrasë njerëzit tanë sipas dëshirës në Rripin e Gazës dhe në pjesë të tjera të territorit palestinez të pushtuar”.

Ai theksoi rëndësinë e qasjes humanitare. “Ndihma humanitare duhet të lejohet të arrijë në çdo cep të Rripit të Gazës” dhe “punonjësit humanitarë, përfshirë Kombet e Bashkuara, përfshirë UNRWA-n (agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë), duhet të lejohen të vazhdojnë përmbushjen e mandateve dhe përgjegjësive të tyre”, tha i dërguari palestinez.

“Ne duam të shohim fillimin e tërheqjes së forcave izraelite, që ato të largohen plotësisht nga Rripi i Gazës”, tha ai, duke përshëndetur kalimin në fazën e dytë të armëpushimit që u nënshkrua në fund të tetorit.

Ai rikonfirmoi se Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, dhe Gaza “përbëjnë një njësi të vetme territoriale” që duhet të unifikohen nën Autoritetin Palestinez, dhe theksoi se Izraeli “duhet të tërhiqet plotësisht dhe pa vonesë nga Rripi i Gazës”, duke e quajtur këtë thelbësore për çdo përpjekje ndërkombëtare stabilizimi.

Exit mobile version