Zhvilluesi i softuerit nga Maqedonia e Veriut, Metin Ferati, ka zhvilluar një aplikacion, me të cilin për herë të parë besimtarët myslimanë do të munden ta përkthejnë Kuranin në gjuhën shqipe fjalë për fjalë.
Programuesi 25-vjeçar nga Shkupi, në një intervistë për Anadolu, rrëfeu historinë se si erdhi deri tek ideja për të programuar aplikacionin “Kurani Shqip”, interesimin ndaj aplikacionit dhe udhëzimet për përdorimin e tij.
Duke informuar se që 6-7 vjet punon në fushën e programimit, Ferati tha se gjatë gjithë kohës mundohet të “ndërtojë” aplikacione ose të bëjë disa punë që mund t’i shërbejnë komunitetit.
Ferati tha se aplikacione të ndryshme për Kuran ka në treg, ndërsa theksoi se qëllimi i tij ishte të bëjë një “mushaf” (Kuran) digjital, që do të mund të lexohet gjatë gjithë kohës.
Ai tregoi se gjatë shqyrtimit të idesë ka vendosur që ta bëjë aplikacionin sa më të qasshëm edhe për shqiptarët.
“Shumica e aplikacioneve të Kuranit edhe ato që janë në gjuhën shqipe, ta japin përkthimin fjali për fjali, që është gjë e mirë. Por ajo që na bën ne më unikë është se ofrojmë përkthimin fjalë për fjalë. Gjithashtu, si ‘mushaf’ na lejon ne që të ruajmë faqen të cilën e kemi lexuar dje, me çka mund t’u mundësojmë njerëzve të cilët e lexojnë tërë Kuranin ta mbajnë mend se në cilën faqen kanë mbetur”, shpjegoi ai.
– Mbi 3.000 shkarkime për një kohë të shkurtër
Ferati më tej tregon se me këtë aplikacion synimi i tij kryesor është sadaka rrjedhëse, të bëjë diçka pas që të mund ta lexojnë njerëzit.
Ndërsa synimi tjetër i Feratit, siç tregon ai, është që të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe prindërit e tij, të mund ta kuptojnë fjalën e lexuar.
Ai shpjegon se ka përdorur disa burime. Në tekstin origjinal të Kuranit e ka përdorur skriptin Uthmanik, ndërsa përkthimet i ka përdor nga dy burime, edhe atë nga Hasan Nahi dhe Jahja Hondozi, ky i fundit për opsionin fjalë për fjalë.
“Interesimi ka qenë shumë i jashtëzakonshëm. Të them të drejtën nuk është diçka që e kam pritur. Kemi mbi 3.000 shkarkime vetëm në platformën iOS, për shkak se në platformën Android është vetëm në fazën testuese. Në platformën Android kemi mbi 300 testues, që janë vetëlajmëruar kur e kanë parë”, tha Ferati.
Ai gjithashtu tregoi se ka marrë vlerësime dhe ideja të ndryshme nga shumë njerëz dhe se në të ardhmen synon që ta përmirësojë dhe zhvillojë aplikacionin.
“Ndoshta në të ardhmen do të shtojmë edhe audio, që të munden njerëzit edhe ta dëgjojnë Kuranin, thjesht të bëjmë një aplikacion të kompletuar për Kuranin pa pasur nevojë për aplikacione të tjera”, shtoi ai, duke njoftuar se aplikacioni është falas, pa reklama dhe mund të përdoret edhe pa qasje në internet.
