Ballina Arritje Teknologji IA-ja dhe blerjet online/ Si Shein, Temu dhe të tjerët ju bëjnë...

IA-ja dhe blerjet online/ Si Shein, Temu dhe të tjerët ju bëjnë të varur

Në vitet e fundit, disa faqe interneti që shesin produkte me çmime tepër të ulëta janë shfaqur në tregun francez. Shein, Temu dhe AliExpress, për të përmendur disa, po tronditin peizazhin e tregtisë online.

Sipas një studimi të kryer nga BPCE Digital & Payments, numri i kartave të pagesës që regjistrojnë të paktën një transaksion mujor në një faqe me zbritje u rrit me 20% midis tremujorit të parë të vitit 2022 dhe atij të vitit 2023.

Kjo nuk është aspak befasuese, duke pasur parasysh se faqja e Temu vizitohet çdo muaj nga miliona francezë, sipas të dhënave nga Federata e Tregtisë Elektronike dhe Shitjeve në Distancë (FEVAD). Në mes të korrikut 2025, platformat me kosto të ulët përbënin 22% të pakove të përpunuara nga posta franceze, krahasuar me vetëm 5% pesë vite më parë. Ky trend pritet të vazhdojë, me rritjen e sektorit me rreth 6.5% gjatë vitit 2025.

Sigurisht, inflacioni i shfrenuar në Francë vitet e fundit e shpjegon pjesërisht këtë ethe blerjesh. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA), që është në zemër të modelit të biznesit të këtyre platformave, ndihmon në ndërtimin e besnikërisë së konsumatorëve.

Profilizimi i sjelljes

Në artikujt tanë të fundit për Shein dhe Temu, kemi analizuar mënyrën se si funksionojnë këto platforma “pas kuintave”. Duke analizuar të dhënat e sjelljes së përdoruesve, mjetet e IA-së që përdoren nga platformat mund të identifikojnë klientët më të prirur për të bërë blerje dhe t’u përshtatin atyre mesazhet reklamuese.

Algoritmet parashikuese analizojnë gjithashtu sjelljen e përdoruesit për të ofruar rekomandime të personalizuara. Kjo qasje synon të krijojë një “nevojë” para se ajo të lindë, duke luajtur me ndjenjat e mungesës dhe urgjencës, e njohur si FOMO, ose “frika për të mbetur jashtë”.

Këto algoritme parashikuese ekzistojnë prej vitesh, por aftësitë e tyre të reja, të “përforcuara” nga mjetet e IA-së, po hapin një epokë të re, duke u përshtatur edhe më shpejt dhe më saktë me çdo përdorues. Në fund të çdo faqeje, shfaqet një listë me “artikuj të shikuar gjithashtu” nga përdorues të tjerë, të ngjashëm me produktin e kërkuar. Kjo teknikë klasike e marketingut tani është përmirësuar: algoritmet i paraqesin vazhdimisht përdoruesit përmbajtje të re për të studiuar reagimin e tij. Çdo reagim (si klikimi për ta shtuar një produkt në shportë) analizohet në kohë reale. Algoritmi, i mbështetur nga IA, përdor më pas këto të dhëna për të nxitur përdoruesin të blejë produkte që ai fillimisht nuk kishte ndërmend t’i kërkonte.

Përdorimi i lojës për të shitur

“Gamifikimi” i referohet përdorimit të mekanikave të lojës për qëllime marketingu, për të kapur vëmendjen e klientëve.

Në aplikacionin Temu, ndërfaqet janë frymëzuar nga lojërat e fatit, të njohura për natyrën e tyre që të krijojnë varësi: rrota fatlume, numërime mbrapsht për oferta me kohë të kufizuar, dhurata dhe kode promovuese për t’u zhbllokuar, etj. Këto stimuj të vazhdueshëm krijojnë ndjesinë e urgjencës tek përdoruesi, duke ndërhyrë në mekanizmin biokimik të qarkut të shpërblimit. IA-ja lejon një saktësi dhe larmi më të madhe të “lojërave” të ofruara, shpesh në dëm të blerësve (dhe pa vetëdijen e tyre të plotë).

Në Temu, minilojëra të integruara në aplikacionin celular (si Farmland dhe Fishland) premtojnë artikuj falas dhe kupona zbritjeje. Sistemet e pikëve dhe kuponëve përdoren për të inkurajuar përdoruesit të rikthehen sa më shpesh në faqe, ndërsa njoftime të personalizuara u dërgohen në momente të përshtatshme, bazuar në të dhënat e mbledhura për ta.

Për më tepër, algoritmet e çmimeve dinamike (që përshtatin çmimet sipas kërkesës) shfaqin zbritje që kanë një efekt të fortë tek konsumatorët. Edhe këtu, IA-ja është një mjet që shumëfishon këtë fuqi.

Dyqane online të personalizuara

Hiperpersonalizimi i platformave është një tjetër levë kryesore. Falë IA-së, e cila mbledh sasi të mëdha të dhënash mbi profilet e përdoruesve, çdo klient ka një dyqan online të ndryshëm, të personalizuar sipas historikut, shijeve, preferencave dhe mospëlqimeve të tij. Kjo rrit ndjeshëm gjasat për blerje impulsive.

Kontributi më i madh i IA-së në suksesin e Shein shkon edhe më tej, përpara se klientët të hyjnë në platformë. Shein ka zhvilluar mjetet dhe algoritmet e veta të IA-së për të mbledhur dhe analizuar të dhëna. Duke përdorur këto mjete për të ndjekur sjelljen e konsumatorëve në internet (brenda dhe jashtë faqes së saj), Shein i përdor ato gjithashtu për të analizuar rezultatet e kërkimeve online, postimet në rrjetet sociale dhe faqet e konkurrentëve.

Këto mjete janë qendrore për suksesin e Shein. Ato e ndihmojnë kompaninë të identifikojë trendet (ngjyra, çmime, dizajne) në kohë reale ose pothuajse reale, dhe të përshtatë me shpejtësi dizajnin dhe prodhimin e produkteve të saj. Kjo është e mundur sepse të gjitha këto të dhëna ndahen me furnizuesit që prodhojnë artikujt që Shein shet. Procesi lehtësohet nga një strategji që favorizon prodhimin në sasi të vogla (100 artikuj ose më pak) për çdo produkt të ri.

Çështje të rëndësishme etike

Të gjitha këta faktorë ngrenë çështje etike, duke pasur parasysh mungesën e transparencës së algoritmeve dhe mënyrën e përdorimit të të dhënave të mbledhura.

Në vitin 2022, Shein u gjobit nga shteti i Nju Jorkut për mosnjoftimin e afro 40 milionë përdoruesve për një rrjedhje të të dhënave që ndodhi në vitin 2018. Siç u përmend më sipër, kompania është gjithashtu nën hetim nga Komisioni Europian, i cili e akuzon për të paktën gjashtë praktika mashtruese ose abuzive ndaj konsumatorëve (si “zbritje të rreme”, “informacione mashtruese”, “të dhëna kontakti të fshehura” etj.).

Pra, në çfarë mase duhet të rregullohet përdorimi i IA-së në shitjet dhe marketingun online? Çfarë kufijsh duhet vendosur? Sa larg duhet të shkojë mbrojtja e konsumatorëve? Sipas një raporti të Statista të vitit 2024, sistemet e rekomandimeve të bazuara në IA ndikojnë në afro 35% të blerjeve online, duke treguar ndikimin e tyre të madh.

Ligji Europian për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Akti për Inteligjencën Artificiale (AI Act) forcojnë mbrojtjen e konsumatorit duke përmirësuar transparencën, përgjegjësinë dhe sigurinë në hapësirën digjitale. DSA synon të garantojë që përdoruesit të mbrohen nga përmbajtjet e paligjshme apo të dëmshme online, dizajnet manipuluese dhe algoritmet e errëta. Ndërsa ligji për IA-në ndalon përdorimin e sistemeve të IA-së që janë të rrezikshme ose mashtruese, kërkon transparencë të plotë kur IA-ja është e përfshirë, dhe vendos masa mbrojtëse kundër paragjykimit, diskriminimit dhe abuzimit.Megjithatë, mbeten pyetje mbi shtrirjen dhe ndikimin: si e adresojnë konkretisht këto rregullore rrezikun e algoritmeve të paqarta apo të diskutueshme të rekomandimeve? Çfarë mekanizmash do të vendosen për të siguruar zbatimin dhe mbikëqyrjen e aktorëve digjitalë? Dhe, në fund, si mund të matet efekti i këtyre rregulloreve mbi konsumatorët dhe mbrojtjen e tyre?/ The Conversation

Exit mobile version