India, blerësja më e madhe e armëve ruse në botë, kërkon furnizues evropianë

India që njihet si blerësja më e madhe e pajisjeve dhe municioneve ushtarake ruse në botë, ka kërkuar nga vendet evropiane furnizues alternativë, pasi Moska po lufton në Ukrainë dhe po përballet me sanksione nga Perëndimi, raportoi të mërkurën Reuters.

Nju-Delhi zyrtar ka theksuar se përveç diversifikimit të furnizuesve të armëve, vendi duhet të nisë prodhimin e më shumë pajisjeve ushtarake.

India është e gatshme të investojë rreth 324 milionë dollarë për firmat vendase që do të mund të prodhojnë pajisjet mbrojtëse këtë vit në mënyrë që të shmanget blerja jashtë vendit.

“Rendi i tanishëm botëror dhe skenari gjeopolitik, i cili është shumë i turbullt, na ka dhënë një mësim. Nëse duam të ofrojmë siguri dhe stabilitet, e vetmja mundësi është të kemi një mekanizëm të zinxhirit furnizues të vetëqëndrueshëm brenda vendit”, ka thënë Marshali Air Vibhas Pande, i cili drejton operacionet e mirëmbajtjes për Forcën Ajrore Indiane.

India është një nga importuesit më të mëdhenj të armëve në botë. Shteti ka shpenzuar mbi 12 miliardë dollarë gjatë viteve 2018-2021, prej të cilave 5.51 janë shpenzuar duke blerë armë nga Rusia. /koha