“Integrimet euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor vendimtare për stabilitetin afatgjatë rajonal, evropian”

Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka marrë pjesë në ditën e dytë të takimit ministror të NATO-s, që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme, në fokus të diskutimeve, ku morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Finlandës, Suedisë, Bosnjë e Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, ishte mbështetja për Ukrainën, politika e dyerve të hapura të NATO-s, forcimi i krahut lindor të aleancës, si dhe rëndësia e rajonit të Detit të Zi për sigurinë e përgjithshme transatlantike.

Në njoftim thuhet se në diskutime njëherit u bë fjalë edhe për kërcënimet dhe sfidat nga vepruesit autoritarë dhe konkurrentët strategjikë të NATO-s në disa rajone, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe anëtare më e re e NATO-s, e njeh nga afër fuqinë transformuese të integrimit evropian dhe euroatlantik dhe pikërisht për këtë fuqishëm e mbështet politikën e dyerve të hapura të aleancës dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).

Sipas tij, gjatë luftës në kontinentin evropian, integrimet evropiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë vendimtare për ruajtjen e stabilitetit afatgjatë rajonal dhe evropian.

“Sot, së bashku me ministrat e jashtëm të Bosnjë e Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, si vendet më të prekura nga lufta në Ukrainë, kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime se si të forcojmë më tej qëndrueshmërinë e tyre dhe t’i zhvillojmë kapacitetet e tyre, duke e mbështetur pavarësinë e tyre politike. Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi mbeten rajone me rëndësi strategjike për Aleancën. Partneriteti ynë është kyç në ballafaqimin me kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta”, shtoi Osmani.

Nga Bukureshti, Osmani vazhdon për në Lodz të Polonisë, ku do të marrë pjesë në Këshillin e 29-të Ministror të OSBE-së, pas të cilit Maqedonia e Veriut merr kryesimin me organizatën.