Ballina Lajmet Rajon dhe Botë IOM-i: Mbi 50 mijë njerëz kanë ikur nga rajonet Kordofan të Sudanit...

IOM-i: Mbi 50 mijë njerëz kanë ikur nga rajonet Kordofan të Sudanit për shkak të dhunës

Më shumë se 50 mijë persona janë zhvendosur rishtazi në rajonet Kordofan të Sudanit që nga fundi i tetorit ndërsa luftimet po intensifikohen, paralajmëroi sot Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), duke theksuar se civilët po largohen nga frika dhe jo me dëshirë, raporton Anadolu.

“Njerëzit në Sudan nuk po lëvizin me zgjedhje, ata po ikin vetëm për të gjetur siguri”, tha Mohamed Refaat, shef i misionit të IOM-it në Sudan, duke folur nga Port Sudani për gazetarët në Gjenevë.

Refaat tha se zhvendosja në Kordofan po nxitet nga dhuna në rritje, me banorë që po largohen nga qytete si Babanusa, Kadugli dhe El-Obeid. Ai përmendi raportime sipas të cilave Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe luftëtarë aleatë nga Lëvizja Popullore për Çlirimin e Sudanit – Veri (SPLM-North) kanë granatuar ndërtesa banimi në Dilling, në Kordofanin e Jugut, gjatë 48 orëve të fundit.

RSF-ja është në luftë me ushtrinë sudaneze që nga prilli i vitit 2023, pas kolapsit të tranzicionit drejt sundimit civil. Më 26 tetor, forcat e RSF-së morën nën kontroll El Fasherin, kryeqytetin e Darfurit të Veriut, pas një rrethimi 500-ditor, duke shkaktuar zhvendosje masive dhe duke lënë civilët të bllokuar me qasje shumë të kufizuar në ushqim.

Refaat tha se shumë nga ata që po ikin tani janë gra dhe fëmijë, veçanërisht ata që po mbërrijnë në shtetet Nili i Bardhë dhe Gedaref. Ai paralajmëroi për një situatë që po përkeqësohet me shpejtësi në Kadugli, ku sulmet me dronë javën e kaluar vranë gjashtë paqeruajtës nga Bangladeshi, që shërbenin me forcën e OKB-së në Abyei.

“Nëse luftimet vazhdojnë, vlerësojmë se 90 mijë deri në 100 mijë persona mund të zhvendosen vetëm nga Kadugli”, tha ai duke shtuar se El-Obeid mund të jetë një ose dy hapa larg një sulmi të ngjashëm, që potencialisht do të prekte më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Zyrtari i IOM-it paralajmëroi se shkurtimet e rënda të fondeve e kanë detyruar agjencinë të reduktojë operacionet, duke thënë se këtë vit ka humbur 83 milionë dollarë. “Duhet të zgjedhim se cilat jetë mund të shpëtojmë”, tha ai duke u bërë thirrje shteteve të rrisin urgjentisht mbështetjen për civilët e Sudanit.

Exit mobile version