IOM: Këtë vit 1.433 emigrantë të parregullt humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kontinentin e Amerikës

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka dokumentuar vdekjen e 1.433 emigrantëve të parregullt gjatë përpjekjeve për të kaluar shkretëtirat, lumenjtë dhe zonat e thella të Amerikës këtë vit dhe ka njoftuar se ky është numri më i lartë i vdekjeve në rajon që nga viti 2014, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga IOM-i, thuhet se nuk dihet plotësisht numri i personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar pjesën mes Amerikës Veriore dhe Jugore. Ndërkaq, sipas Projektit të IOM-it për Emigrantët e Humbur, thuhet se 7.495 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar shkretëtirat, lumenjtë dhe zonat e thella gjatë viteve 2014-2022.

Më tej thuhet se vdekja e 1.433 emigrantëve të parregullt këtë vit është regjistruar si shifra më e lartë e vdekjeve në rajon që nga viti 2014.

Instituti Global i të Dhënave (GDI), i cili monitoron Projektin për Emigrantët e Humbur, do të hapë këtë javë në SHBA Rrjetin e Emigrantëve të Zhdukur me qëllim për të shpëtuar jetë, për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave dhe për të mbështetur familjet e të mbijetuarve.

Ky rrjet ka për qëllim të forcojë kapacitetet kombëtare dhe rajonale për shkëmbimin dhe mbledhjen e të dhënave lidhur me vdekjet dhe zhdukjet e emigrantëve të parregullt.

Drejtoresha e GDI-së, Koko Warner, ka thënë: “Kur njerëzit të kenë qasje në rrugët e sigurta dhe të rregullta të migrimit, kjo rrit mundësitë e tyre që ata të kontribuojnë në vendet e tyre dhe mirëqenien ekonomike në vendet ku shkojnë. Mungesa e rrugëve të tilla të rregullta shkakton në përgjithësi pasoja tragjike dhe një mundësi të humbur”.

“Qëllimi i këtij rrjeti të krijuar është formimi i komuniteti pune dhe që ndan të dhëna aktuale dhe të besueshme lidhur me emigrantët e zhdukur për të kontribuuar në politikat e bazuar në prova”, ka theksuar më tej Warner.

Ajo u bëri thirrje organizatave dhe individëve përkatës që të mbështesin këtë iniciativë dhe përpjekjet e saj për të trajtuar vështirësitë me të cilat përballen emigrantët në kontinentin e Amerikës.