Më shumë se 213 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Jemen që nga përshkallëzimi i luftimeve në shtator, njoftoi Abdusattor Esoev, shefi i misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Jemen.
Sipas tij, rreth 60 për qind e personave të zhvendosur janë gra dhe fëmijë.
Duke folur për Al Jazeera nga Adeni, Esoev e cilësoi situatën si alarmante. Ai tha se pak më shumë se dy javë më parë, numri i të zhvendosurve ishte rreth 75 mijë, por shifra vazhdon të rritet çdo ditë.
Shumica e të zhvendosurve vijnë nga provinca e Taizit, ndërsa rreth 10 provinca të Jemenit po i strehojnë ata.
Sipas Esoevit, shumë familje janë të frikësuara dhe po kërkojnë vende të sigurta për t’u strehuar. Një pjesë e tyre po qëndrojnë në hapësira të hapura, ku siguria e tyre nuk mund të garantohet, ndërsa mungesa e ushqimit mbetet një nga nevojat më urgjente. /mesazhi






