Ballina Lajmet Kosovë IPK arreston edhe një zyrtar policor të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit...

IPK arreston edhe një zyrtar policor të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Lipjan

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve më 1 shkurt të këtij viti kishte pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Lipjan.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të ankesës nga qytetari si dhe shkresat e rastit kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor të Lipjanit) që ishte i përfshirë në këtë incident.

Siç njoftohet, arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Exit mobile version