Irani ka përshkallëzuar akuzat ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke i fajësuar për nxitjen e dhunës dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit, sipas një letre zyrtare të dorëzuar në Kombet e Bashkuara. Autoritetet iraniane thonë se situata e sigurisë ka filluar të stabilizohet dhe njoftojnë arrestimin e disa personave të dyshuar si agjentë të shërbimit sekret izraelit, Mossad.
Në letrën drejtuar OKB-së, përfaqësuesi i përhershëm i Iranit, Amir Saeid Iravani, dënon atë që e cilëson si “sjellje të vazhdueshme, të paligjshme dhe të papërgjegjshme” të Shteteve të Bashkuara, të kryer në bashkërendim me regjimin izraelit. Dokumenti, i siguruar nga agjencia Reuters, akuzon Uashingtonin për nxitje aktive të paqëndrueshmërisë brenda Iranit, përfshirë mbështetjen e hapur të grupeve që synojnë destabilizimin e vendit.
Sipas Teheranit, këto veprime përbëjnë shkelje të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke paraqitur rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në letër thuhet se qëllimi është shndërrimi i protestave paqësore në trazira të gjera civile dhe krijimi i terrenit për ndërhyrje të huaj.
Të premten, Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, deklaroi se “përfshirja e Shteteve të Bashkuara dhe entitetit izraelit është e qartë në skenën e protestave”, duke akuzuar drejtues të grupeve të armatosura “terroriste” se po përpiqen të ndezin një luftë civile për të hapur rrugën e ndërhyrjeve të jashtme.
Policia: situata është qetësuar
Policia iraniane njoftoi se gjendja sociale në mbarë vendin është kthyer në normalitet, një ditë pas trazirave mbarëkombëtare të lidhura me pakënaqësi ekonomike. Zëdhënësi i policisë, Saeed Montazer al-Mahdi, i tha agjencisë IRNA se vlerësimet në terren tregojnë për “një situatë shoqërore të qetë” në disa qytete, duke shtuar se janë regjistruar vetëm incidente të izoluara, të atribuuara grupeve që ai i quajti “terroriste”.
Megjithatë, autoritetet iraniane thonë se vendi ka hyrë në ditën e 13-të radhazi të trazirave, të shënuara nga episode të dhunshme kundër civilëve dhe forcave të sigurisë. Sipas tyre, janë regjistruar sulme të ngjashme me ato të ISIS-it, përfshirë djegien për së gjalli të një efektivi sigurie dhe vrasjen e një vajze trevjeçare, e cila u qëllua teksa ndodhej në krahët e të atit. Përleshje të armatosura mes protestuesve të dhunshëm dhe forcave të sigurisë janë raportuar në disa rajone.
Korrespondenti i Al Mayadeen në Teheran raportoi për incidente të rënda në pjesën lindore të kryeqytetit, me trazira, vandalizëm dhe zjarrvënie. Sipas raportimit, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe përplasje me municion të vërtetë, ndërsa forcat e sigurisë përballeshin me grupe të organizuara, të përshkruara si banda.
Arrestime të dyshuara të Mossadit
Zyrtarët iranianë këmbëngulin se dhuna nuk është as spontane dhe as e izoluar, duke akuzuar agjenci të huaja të inteligjencës – veçanërisht Mossadin – se veprojnë në emër të Izraelit dhe në koordinim me SHBA-në për të destabilizuar vendin.
Në këtë kuadër, Garda Revolucionare Islamike njoftoi arrestimin e disa personave, përfshirë të dyshuar si agjentë të Mossadit, të akuzuar për organizimin e dhunës në disa zona. Sipas autoriteteve të sigurisë, një prej të arrestuarve dyshohet se ka vepruar fshehurazi mes demonstruesve.
Al Mayadeen raportoi se i dyshuari ka pranuar se shërbente si lidhje e nivelit të lartë, duke marrë udhëzime taktike përmes rrjeteve sociale si Instagram dhe Telegram nga persona të bazuar në Gjermani. Sipas autoriteteve, roli i tij përfshinte rekrutimin e të rinjve për dhunë në rrugë dhe prodhimin e materialeve të fabrikuara për shpërndarje në media të huaja. /mesazhi
