Irani është gati për një marrëveshje bërthamore nëse ShBA kompenson dëmin e shkaktuar nga sanksionet

Said Hatibzade

Ministria e Jashtme iraniane theksoi se Uashingtoni duhet të respektojë të drejtat e popullit dhe shtetit iranian.

Irani është gati të nënshkruajë një marrëveshje bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kompensojnë dëmin që i është shkaktuar popullit iranian për shkak të sanksioneve.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Hatibzade, duke komentuar vizitën e ardhshme të përfaqësuesit të BE-së Enrique Mora në Teheran.

“Nëse ShBA vendos sot dhe kthen atë që ka marrë nga xhepi i popullit iranian, pranon të kompensojë humbjet [e popullit iranian] dhe respekton të drejtat, ne do të kthehemi në Vjenë që të nesërmen [e vizitës së Mora në Teheran] dhe do ta nënshkruajmë marrëveshjen”, tha diplomati iranian.

Marrëveshja e parë bërthamore, e njohur ndryshe edhe si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (ShBA, Rusi, Kinë, Britani dhe Francë), si dhe Gjermanisë.

Pasi ish-presidenti Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të njëanshme nga kjo marrëveshje bërthamore në vitin 2018, kundër Iranit nisën të zbatohen përsëri sanksione ekonomike. Kështu që edhe Teherani i është rikthyer gradualisht aktivitetit të tij bërthamor.

Negociatat për sigurimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes bërthamore dhe kthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në marrëveshje zhvillohen në Vjenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Anglia dhe Irani.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha në 11 mars se bisedimet në Vjenë ishin ndërprerë për shkak të “faktorëve të jashtëm”. /trt