Irani ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime “të drejta dhe të barabarta” me Shtetet e Bashkuara, por ka theksuar se negociatat nuk mund të zhvillohen nën kërcënime ushtarake. Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një kohë tensionesh të shtuara mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Gjatë një vizite në Turqi të premten, Araghchi tha se Irani nuk ka problem me negociatat, por ato nuk mund të zhvillohen “nën hijen e kërcënimeve”. Ai theksoi se programi mbrojtës dhe raketor i Iranit nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë negociate.
“Siguria e popullit iranian nuk është çështje e askujt tjetër. Ne do të ruajmë dhe zhvillojmë aftësitë tona mbrojtëse aq sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur vendin,” deklaroi ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë rritur javët e fundit, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht me veprime ushtarake ndaj Iranit dhe ka kërkuar kufizimin e programit bërthamor iranian. Trump ka njoftuar gjithashtu se SHBA po dërgon më shumë anije luftarake në rajon dhe se një “armadë e madhe” detare është zhvendosur pranë Iranit.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se administrata e tij shpreson për një marrëveshje, por nuk përjashtoi skenarë të tjerë nëse ajo nuk arrihet. Ai shtoi se i ka vendosur Iranit një afat, por pa dhënë detaje publike.
Uashingtoni e akuzon Teheranin se synon ndërtimin e një arme bërthamore, akuza që autoritetet iraniane i kanë mohuar vazhdimisht. Irani ka përsëritur se është i hapur për bisedime vetëm nëse SHBA ndal kërcënimet ushtarake dhe ka paralajmëruar se forcat e tij janë të gatshme të reagojnë në rast sulmi.
Ndërkohë, vende të rajonit si Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite po angazhohen në përpjekje diplomatike për të shmangur një përplasje ushtarake mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka ofruar Iranit ndërmjetësim, ndërsa ministri i Jashtëm turk ka bërë thirrje për rifillimin e negociatave bërthamore, duke theksuar se ato mund të hapin rrugën për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit. /mesazhi
