Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se gjatë raundit të fundit të negociatave indirekte mbi programin bërthamor me SHBA-në janë zhvilluar “diskutime më serioze” dhe se atmosfera e dialogut ishte “më konstruktive”, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve me SHBA-në në Gjenevë, nën ndërmjetësimin e Omanit, Araghchi tha se palët arritën një marrëveshje të përgjithshme mbi një sërë “parimesh udhëzuese” që do të shërbejnë si bazë për fillimin e punës mbi tekstin e një marrëveshjeje të mundshme.
“U vendos që të dyja palët të punojnë mbi draftet e një marrëveshjeje të mundshme dhe pas shkëmbimit të teksteve. Koha e raundit të ardhshëm të bisedimeve do të përcaktohet”, shtoi ai.
Kryediplomati iranian tha se tani ekziston një rrugë e qartë përpara për negociatat mbi programin bërthamor me palën amerikane, e cila “vlerësohet pozitivisht” nga këndvështrimi i Iranit.
Megjithatë, ai paralajmëroi se përparimi në bisedime nuk do të thotë se është arritur një marrëveshje e shpejtë, por se procesi i negociatave ka nisur dhe është bërë “përparim i mirë”.
“Të dyja palët kanë qëndrime që do të kërkojnë pak kohë për t’u afruar me njëra-tjetrën”, tha Araghchi.
