Irani thotë se SHBA-ja u përpoq t’ia konfiskojë cisternën

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se ka zmbrapsur një përpjekje të Marinës së SHBA-së, për të kapur një cisternë të naftës në Gjirin e Omanit.

Televizioni shtetëror raportoi për incidentin të mërkurën, por nuk dha detaje se kur ka ndodhur, e as për vendin se ku është regjistruar anija.

Transmetuesi shtetëror tha se Marina amerikane ka ndaluar cisternën iraniane të naftës dhe ka transferuar ngarkesën e saj në një cisternë tjetër, që ka qenë duke shkuar në një destinacion të panjohur.

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit më pas e ka rikapur cisternën me mbështetje ajrore dhe e ka sjellë atë në ujërat territoriale të Iranit, tha televizioni shtetëror.

E kontaktuar nga agjencia e lajmeve Reuters, Flota e Pestë e Marinës së SHBA-së tha se ka parë raporte për incidentin, por nuk ka informacione për të dhënë, në lidhje me akuzat.

Tensionet midis dy vendeve janë rritur për një varg çështjesh.

Aktualisht, ato po bëjnë përpjekje për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore, me anë të së cilës Irani ka frenuar aktivitetet e tij bërthamore.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja e vitit 2015 tre vjet më parë dhe ka rikthyer sanksione të ashpra kundër Iranit.

Në përgjigje, Irani ka nisur të shkelë kushtet e marrëveshjes.

Pasardhësi i Trumpit, Joe Biden, ka ofruar mundësinë e ringjalljes së marrëveshjes, por bisedimet indirekte midis dy palëve kanë ngecur qysh në muajin qershor. /rel