Ish-kryeministri pakistanez, Khan bën thirrje për zgjedhje të parakohshme

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe tha se në të kundërtën do të nxjerrë popullin në rrugë

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe tha se në të kundërtën do të nxjerrë popullin në rrugë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin vendas, Khan lideri i Partisë së Lëvizjes për Drejtësi të Pakistanit (PTI), tubimin e tij të parë pas shkarkimit nga detyra e ka mbajtur në Peshawar.

Në një deklaratë të bërë këtu, Khan tha se “Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më parë, në të kundërtën do të nxjerr popullin në rrugë”.

Duke i kërkuar popullit mbajtjen e një proteste paqësore kundër një komploti të jashtëm ndaj tij, Khan pretendon se “Washingtoni ka kryer ndryshimin e regjimit në vend për shkak se nuk i ka dhënë SHBA-së bazë ushtarake në Pakistan”.

Khan tha se Pakistani ka luftuar për SHBA-në por Washingtoni po vret pakistanezët e pafajshëm me sulmet e tij me dronë.

Ai njoftoi se më 16 prill do të mbajë një tubim në Karaçi.

Rënia e qeverisë së Imran Khan-it

Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër me mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota në votimin e zhvilluar më 11 prill.

Qeveria e Imran Khan-it në Pakistan ra si rezultat i votimit të mosbesimit më 10 prill në Parlament. Në votën e mosbesimit në Parlament, kundër qeverisë së kryeministrit Khan votuan 174 deputetë. /aa