Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-presidenti brazilian i sapoliruar nga burgu: Do t’ua bëj ‘jetën ferr’

Ish-presidenti brazilian i sapoliruar nga burgu: Do t’ua bëj ‘jetën ferr’

Ish-presidenti brazilian i larguar nga detyra, Luiz Inacio Lula da Silva, i sapodalë nga burgu, u zotua të luftojë qeverinë e ekstremit të djathtë të Brazilit dhe forcat që ai thotë se e burgosën padrejtësisht, duke thënë se do t’ua bëjë “jetën ferr”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ata nuk e dinë se çka do të thot të përballesh me një burrë pasionant 74-vjeçar”, tha para përkrahësve të tij da Silva, i cili drejtoi Brazilin nga viti 2003 deri në vitin 2010 dhe u bë një nga politikanët më të njohur në botë përpara se të përfshihej në skandale korruptive.

Da Silva këto komente i bëri në konferencën e Partisë së tij të Punëtorëve, e cila filloi të premten në Sao Paulo. Shumë akoma mendojnë se ai mund të jetë drejtuesi i partisë së majtë edhe një herë në vitin 2022, kur ai do të jetë një 77-vjeçar i mbijetuar nga kanceri, i cili aktualisht e ka të ndaluar të kërkojë poste për shkak të dënimit për korrupsion.

Da Silva u lirua nga burgu në fillim të këtij muaji pas 19 muajsh në një qeli, kur Gjykata Supreme vendosi që një person mund të burgoset vetëm pasi të jenë shterur të gjitha apelimet.

Ish-presidenti i Brazilit është ende në procesin e apelimit të dënimit në lidhje me blerjen e pretenduar të një apartamenti në plazh dhe në lidhje me raste të tjera. Ai u dënua gjithashtu nga një gjykatë e ulët në çështjen që përfshin pronësinë e një ferme në Atibaia, jashtë Sao Paulos. Nëse humbet ankesat në cilindo rast, ai mund të mbyllet përsëri.

Da Silva ka mohuar çdo keqbërje dhe akuzon prokurorët dhe Sergio Moro, asokohe gjyqtar dhe tani ministër i drejtësisë në qeverinë e Presidentit Jair Bolsonaro, për manipulimin e çështjes kundër tij.

“Sot ndihem shumë më i fortë se ditën kur u dorëzova në policinë federale”, tha da Silva mbrëmjen e së premtes.

“Unë jam më i gatshëm të luftoj për këtë vend sesa në çdo moment tjetër. Do të më shihni duke udhëtuar nëpër këtë vend, jo vetëm duke ua bërë atyre jetën ferr, por edhe duke mbrojtur brazilianin që nuk meriton të kalojë atë që po përjeton”, shtoi ai.

Shumica e analistëve e shohin da Silva-n si një drejtues të mundshëm dhe strateg për partinë për të cilën ai ka qenë vendimtar në procesin e transformimit.

Exit mobile version