Ish-zyrtari i fushatës së Trump rrezikon dënim me burg

Një ish-zyrtar i fushatës zgjedhore të presidentit Donald Trump pritet të dënohet sot nga një gjykatë e Uashingtonit për dëshmi të rreme në kuadër të hetimit lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Çështja e George Papadopoulos, 31 vjec, është pjesë e hetimit të këshilltarit special Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore presidenciale në vitin 2016 dhe lidhjeve të mundshme me fushatën e presidentit Trump.

Një profesor në Europë i kishte thënë Papadopoulosit se Rusia kishte informacione kompromentuese për Hillary Clinton, e cila garonte kundër Trump në vitin 2016. Vitin e kaluar ai pranoi se kishte bërë dëshmi të rreme lidhur me këtë informacion dhe se do të bashkëpunonte me autoritetet e hetimit.

Papadopoulos rrezikon të dënohet me disa muaj heqje lirie, ndonëse avokatët po kërkojnë lirimin e tij me kusht, duke pretenduar se dëshmia e tij e rremë nuk kishte për qëllim të pengonte hetimin.

Ish-këshilltari besohet se ka gënjyer lidhur me kohën kur ka marrë informacionin e pretenduar lidhur me Clinton. Më herët, Papadopoulos kishte deklaruar se kjo kishte ndodhur para se të bëhej pjesë e fushatës, ndonëse më vonë konfirmoi se kishte ndodhur kur ishte pjesë e stafit elektoral./ ATSH-DPA