Ishin myslimanë, 20 vjeçari në Kanada shtyp me makinë dhe vret një familje të tërë

Një familje prej pesë personash u godit nga një automjet në një sulm të qëllimshëm të cilin policia kanadeze e përshkroi si islamofobik.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Ontario, ku 20 vjecari Nathaniel Veltman me të parë familjen në rrugë, i dha gaz kamioncinës e i përplasi që të gjithë, dhe pastaj u largua me shpejhtësi. Katër prej pjesëtarëve një grua 74 vjeçare, një burrë 46 vjeç, një grua 44 vjeçe dhe një vajzë 15 vjeçare vdiqën në vend.

Një djalë 9 vjeç është në spital në gjendje të rëndë. Të afërmit kërkuan që emrat të mos bëheshin të ditur. Veltman, resident nga London i Ontarios u arrestua në një parking. Mbi të rëndojnë katër akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një akuzë për tentativë për vrasje.

“Provat dëshmojnë se ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe i motivuar nga urrejtja. Ne besojmë se viktimat u shënjestruan për shkak të besimit të tyre islamik”, tha zëdhënësi i policisë, Paul Waight. Ai shtoi se policia e qytetit të ndodhur rreth 200 km në jugperëndim të Torontos po konsultohet me policinë mbretërore kanadeze dhe prokurorët mbi mundësinë për të ngritur dhe akuza për terrorizëm. /tch

Familja e vrarë në Ontario