‘Ishin si binjakë’, Gaza kujton djemtë adoleshentë të vrarë në sulmin ajror izraelit

Një sulm ajror izraelit vrau Luay Kaheel 16 vjeç dhe Amir al-Nimra 15 vjeç, ndërsa po luanin në çatinë e një ndërtese.

Umm Luay zmadhon një fotografi në telefonin e saj celular dhe puth ekranin herë pas here.

Në foto është djali i saj, Luay Kaheel, ku shihet i qeshur së bashku me mikun e tij, Amir al-Nimra. Të dy adoleshentët, përkatësisht 16 dhe 15 vjeç, vdiqën të shtunën pak minuta pasi një sulm ajror izraelit goditi shtyllën e një ndërtese në Gaza ku ata po luanin.

“Dëgjova një shpërthim dhe instinktivisht e dija se diçka i kishte ndodhur djalit tim”, tha Umm Luay, 33 vjeç, për Al Jazeera të dielën, i rrethuar nga një grup grash të ulura brenda shtëpisë së saj në Gaza.

Nëna e re sapo kishte ardhur në shtëpi kur bastisja ajrore goditi ndërtesën në sheshin Al-Kateeba, që ndodhej pranë një parku të frekuentuar nga familjet palestineze gjatë muajve të verës.

“Fillimisht dëgjova që u vra Amiri dhe atëherë e dija. U nisa për në spital dhe fillova të kërkoj djalin tim si e çmendur” tha ajo.

Pasi mbërriti në spitalin al-Shifa, një grup njerëzish i përcollën lajmin e kobshëm Umm Luay se djali i saj kishte humbur gjithashtu jetën.

Të shtunën, ushtria izraelite filloi një seri sulmesh ajrore, që sipas saj kikshin si objektiv pozicionet e Hamasit brenda Gazës. Përveç dy djemve të vrarë, të paktën 30 palestinezë u plagosën gjithashtu në sulme.

Ishte sulmi më i dhunshëm në enklavën e rrethuar që nga lufta e vitit 2014 kur të paktën 2.251 palestinezë, shumica e të cilëve civilë, u vranë. Të paktën 66 ushtarë izraelitë dhe gjashtë civilë u vranë gjithashtu  në atë kohë.

Hamasi tha të shtunën se hodhi dhjetra raketa dhe mortaja në përgjigje të sulmit ajror izraelit. Të paktën katër izraelitë u plagosën lehtë.

“Unë e kam trajtuar atë gjithmonë si të ishte 10 vjet më i madh” vijon rrëfimin e ëma për Luay Kaheel,  më i madhi i gjashtë fëmijëve.

Edhe kur nuk ishin në shkollë, dy adoleshentët e vrarë e kalonin shumicën e kohës së lirë së bashku, shpesh duke vizituar parkun pranë sheshit al-Kateeba për të luajtur futboll.

Të apasionuar pas sportin, djemtë ndoqën nga afër turneun e Kupës së Botës 2018 dhe gjithmonë do të krahasoheshin me lojtarët e njohur.

“Djali im doli nga shtëpia për të luajtur futboll, jo për armë”, tha Umm Luay.

Rrethimi shkatërrues

Ashtu si shumë palestinezë në Rripin e Gazës, Luay dhe Amir kishin jetuar shumicën e viteve të tyre formuese nën një bllokim të imponuar izraelit dhe egjiptian, tani në vitin e tij të 12-të.
Rrethimi ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare, duke kufizuar rëndë hyrjen e ushqimit dhe aksesin në shërbimet bazë.

Gaza me më shumë se 2 milionë banorë, është quajtur “burgu më i madh në botë në ajër të hapur” dhe në 12 vitet e fundit është përballur  me tre sulme izraelite.

“Një ditë para se të vritej… ai më tregoi se si ndihej i mbytur nga realiteti në terren”, kujton Umm Luay për të birin.

/Ora News.tv/