Itali – Asnjë fitues pas raundit të parë të votimeve në zgjedhjet presidenciale

Nuk pati asnjë fitues në raundin e parë të votimeve në zgjedhjet presidenciale në Itali të hënën, pasi partitë kryesore qeverisëse njoftuan paraprakisht se ligjvënësit do t’i dorëzonin fletëvotimet bosh.

Tashmë konsiderohej e pamundur që në ditën e parë të votimit të zgjidhej pasardhësi i Sergio Mattarella.

Askush nuk arriti dy të tretat e kërkuara të votave nga 1009 zgjedhës. Partitë e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë nuk kanë rënë dakord për një kandidat të përbashkët.

Rezultate të ngjashme priten të martën dhe të mërkurën në raundin e dytë dhe të tretë. Vetëm pas raundit të katërt të votimeve, të planifikuar për të enjten, do të mjaftojë një shumicë absolute për të zgjedhur fituesin.

Pas tërheqjes së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi nga gara për postin më të lartë në shtet, negociatat mes liderëve partiakë për një kandidat të mundshëm u intensifikuan.

Pas orës 3 pasdite, zgjedhësit e parë u thirrën në sallën e asamblesë të Dhomës së Përfaqësuesve në Romë për të hedhur votat e tyre. Përveç anëtarëve të parlamentit, anëtarët e dhomës së dytë, Senatit dhe përfaqësues nga 20 rajonet kishin gjithashtu të drejtë vote.

Zgjedhësit që janë prekur nga koronavirusi i kanë dorëzuar fletëvotimet e tyre në tendat e posaçme të vendosura përpara ndërtesës.

Në mënyrë konvencionale, nuk ka kandidatë zyrtarë në garë, por kryeministri aktual Mario Draghi prej kohësh konsiderohet favorit për këtë rol.

Duke qenë se ai nuk mund t’i mbajë të dyja pozicionet, negociatat kanë vazhduar për javë të tëra në Romë për mënyrën sesi të procedohet me qeverinë e tij, në të cilën përfaqësohen pothuajse të gjitha partitë kryesore në parlament. /atsh