Rrëshqitjet e sheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë vazhduar që nga java e kaluar në ishullin jugor italian të Siçilisë kanë çuar në evakuimin e afërsisht 1.000 personave nga një qytezë, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të mediave italiane, shirat e rrëmbyeshëm të shkaktuar nga Stuhia “Harry”, e cila preku vendin javën e kaluar dhe që ende po vazhdojnë, po shkaktojnë rrëshqitje të shumta dheu, veçanërisht në ishullin e Siçilisë.
Një shtrirje toke prej 4 kilometrash u shemb dhe disa shtëpi u shkatërruan, si pasojë e një rrëshqitjeje të madhe dheu në shpatet në perëndim të Niscemi-t, një qytet me 25.000 banorë në provincën Caltanisetta, në pjesën qendrore të ishullit.
Edhe në një deklaratë me shkrim të bërë nga Agjencia e Mbrojtjes Civile thuhet se po monitorohet nga afër situata në lidhje me kushtet e rënda të motit që kanë prekur jugun e vendit në ditët e fundit.
Deklarata përfshin informacion se rrëshqitjet e dheut në Niscemi kanë shkaktuar mbyllje rrugësh dhe se janë evakuuar afërsisht 1.000 persona që ishin të izoluar në zona të rrezikshme.
Kryetari i bashkisë së Niscemit, Massimiliano Conti, në një deklaratë për shtyp u shpreh se “Situata vazhdon të përkeqësohet ndërsa ndodhin më shumë rrëshqitje dheu. Një çarje vertikale 25 metra u formua gjatë natës. Ne po punojmë me Mbrojtjen Civile për një zgjidhje alternative. Mund të ndërtohet një rrugë tjetër për të parandaluar izolimin e qytetit. Situata është e tmerrshme”.
Ndërkohë, është raportuar se kabineti i qeverisë së koalicionit të krahut të djathtë, i kryesuar nga Kryeministrja Giorgia Meloni, i cili do të mblidhet sot, planifikon të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për të adresuar dëmet financiare në infrastrukturë dhe biznese në Siçili, Sardenjë dhe Kalabri, të cilat u goditën nga Stuhia “Harry” javën e kaluar.
Bëhet e ditur se Stuhia “Harry” ka shkaktuar dëme me vlerë qindra miliona euro përgjatë bregdetit jugor të vendit.
