Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Italia dhe Franca mbështesin integritetin territorial të Ukrainës

Italia dhe Franca mbështesin integritetin territorial të Ukrainës

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio dhe ministri i Jashtëm i Francës, Jean Yves Le Drian zhvilluan një bisedë telefonike për krizën në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme italiane thuhet se të dy ministrat patën një bisedë telefonike produktive mëngjesin e sotëm, ku u trajtuan zhvillimet e fundit në kufirin Ukrainë-Rusi dhe në lindje të Ukrainës si dhe për situatën në Mali.

Di Maio dhe Le Drian konfirmojnë mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e plotë të Ukrainës. Ata ndajnë qëndrimin e njëjtë në angazhimin e tyre për përparim në rrugën e dialogut me Rusinë, duke mbajtur të bashkuar ​​dhe të qëndrueshëm frontin evropian në përcaktimin e një reagimi efektiv.

Gjatë takimit u theksua se ministri Di Maio përcolli shpresën se edhe Moska do t’i përgjigjet pozitivisht vullnetit të aleatëve për të nisur një sërë bisedimesh konkrete që synojnë zgjidhjen e krizës. Ministri italian ka potencuar nevojën për të shmangur një spirale të përshkallëzimit të tensioneve që do të reduktonte ndikimin e nismave politike dhe diplomatike.

Në deklaratë u tha se dy ministrat u ndalën shkurtimisht mbi zhvillimet në Mali dhe ranë dakord të mbajnë bashkëpunim të ngushtë duke iu referuar angazhimit të përbashkët në luftën kundër terrorizmit në rajonin e Sahelit. /aa

Exit mobile version