Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka deklaruar se krijimi i një shteti palestinez është një kusht i domosdoshëm për t’u ofruar palestinezëve drejtësi dhe shpresë për të ardhmen, si dhe për sigurimin e garancive të sigurisë për izraelitët, transmeton Anadolu.
Presidenti Mattarella, i shoqërua nga ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, i bëri këto komente në hapjen e Konferencës së 17-të të Ambasadorëve Italianë në Romë, duke evidentuar paqartësitë e theksuara në arenën ndërkombëtare.
Presidenti italian theksoi se bota aktualisht po përjeton një rigjallërim të retorikës separatiste nacionaliste dhe etnike, duke paralajmëruar se kjo prirje do të çojë në ndarje dhe konflikte të thella.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e popullit palestinez për shtetin e tij.
“Për Palestinën, pa mëdyshje duhet të riafirmohet se për Republikën Italiane, perspektiva e vërtetë për të ardhmen qëndron në zgjidhjen me dy shtete. Ndjekja e qëllimit të krijimit të një shteti palestinez do të thotë t’i ofrohet popullit të Bregut Perëndimor dhe Gazës një ndjenjë drejtësie dhe një këndvështrim shpresëdhënës për të ardhmen e tyre, gjë që gjithashtu është një kusht i domosdoshëm për t’i dhënë Izraelit garancitë përfundimtare dhe të qëndrueshme të sigurisë”, tha presidenti Mattarella.
Mattarella foli edhe për zhvillimet në Siri, duke theksuar se “shfaqja e një shteti të sapo-përcaktuar në Siri do të duhet të mbështetet me vendosmëri të ngjashme, si në aspektin e implikimeve politike ashtu edhe në humanitare”.
Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës që ka marrë jetën e afër 45 mijë viktimave, kryesisht gra dhe fëmijë.
Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr një dënim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu po përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën kundër Rripit të Gazës.
